Kjo gjendje vazhdoi e tillë derisa u shfaq profeti Idris a.s. Ai ishte biri i Jarim, biri i Mihlail-it, bir i Kinanit, bir i Anushit, bir i Shithit, bir i Ademit a.s. Shithi ishte gjyshi i pestë i Idrisit a.s. Idrisi a.s kishte lindur ndërkohë që Ademi a.s ishte akoma gjallë, duke jetuar me të njëqind e pesëdhjetë vite. Pas vdekjes së Ademit a.s dhe më pas të Shithit, Zoti ia besoi Idrisit a.s amanetin e profecisë. Në një hadith thuhet se Idrisi a.s është profeti i parë pas Ademit a.s dhe Shithit. Ashtu siç thuhet se Idrisi a.s është profeti i parë që ka shkruar me penë. Atij i atribuohet merita si njeriu i parë që ka shkruar në tokë.
Ibnu Kethiri e përshkruan Idrisin a.s me fjalët:”Ai ishte me shtat të plotë, fytyrë të hirtë, me mjekur të dendur, me trup të bukur, i gjatë, shpatull gjerë, kockë trashë, me pak mish në trup, sy shkëlqyes, fjalë pakët, i heshtur, i qetë, kur ecte e mbante shikimin mbi tokë, i mendueshëm, dukej si i brengosur, kur zemërohej ashpërsohej dhe luante gishtin tregues kur fliste.”
Idrisi a.s pasonte legjislaturën e Shithit a.s, por atë e plotësoi me disa ligje dhe norma të reja, pasi ishte edhe i dërguar. Siç e dimë, një i dërguar i Zotit, shton ose heq nga ligjet e profetit të kaluar, por kjo sipas udhëzimeve dhe shpalljes hyjnore.
Duke konstatuar revanshin e shthurjes morale dhe agresivitetin e të degjeneruarve mbi besimtarët dhe të ndershmit, Idrisi a.s legjitimoi luftën (xhihadin). Kështu, Idrisi a.s konsiderohet si njeriu i parë që ka luftuar të keqen në rrugë të Zotit. Gjithashtu, ai është njeriu i parë që ka marrë robër pas lufte.
Ai përgatiti një ushtri kalorësish dhe këmbësorësh, i sulmoi njerëzit e Kabilit dhe i theu, duke zënë robër shumë prej tyre. Kjo është koha kur beteja mes të keqes dhe të mirës ndizet dhe nuk do të shuhet gjer Ditën e Kiametit.
Ne nuk posedojmë më shumë informacion rreth profetit Idris. Emri i tij përmendet në Kuran, ku Zoti i lartësuar thotë:”Trego në Libër për Idrizin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ne e ngritëm atë në vend të lartë.” (Merjem, 56-57)
Mbi vendin e tij të lartë, flitet në një hadith të saktë të transmetuar nga imam Buhari dhe Muslimi. Sipas këtij hadithi, Profeti a.s u takua me Idrisin a.s në qiellin e katërt gjatë Miraxhit.
Në një transmetim të Ibnu Xheritit, përmenden hollësi më të shumta mbi pozitën e lartë që gëzon Idrisi a.s dhe që është përmendur në ajetin e mësipërm. Këtë ndodhi e përmendin shumica e komentuesve dhe interpretuesve të Kuranit, ashtu siç përmendet nga shumë historianë. Në fakt, gjatë hulumtimeve të mia, nuk kam gjetur diçka të saktë që i referohet profetit Muhamed a.s, lidhur me këtë ndodhi. Gjithësesi, meqë ceket tek shumë libra tefsiri dhe historie, edhe ne por e sjellim thjesht për informacion.
Thotë Hilal ibnu Jesar:” Ibnu Abasi e pyeti Kab ibnu Ubej në prezencën time. Ai i tha:”Si e shpjegon ajetin e Kuranit që flet mbi pozitën e Idrisit?” “Ne e ngritëm atë në vend të lartë.”
Shokët e Profetit a.s e pyesnin gjithmonë Kab ibnu Ubej, sidomos lidhur me rrëfenjat e hebrenjve, librin e tyre dhe profetët e parakaluar. Duke mos ditur gjë mbi komentin e ajetit të mësipërm, Ibnu Abasi pyeti Kab ibnu Ubej. Vetë Kab, i tregoi mbi diçka që kishte lidhje me rrëfenjat çifute, të cilat ne si myslimanë as nuk i besojmë por as nuk i përgënjeshtrojmë. Kab ibnu Malik u përgjigj:”Zoti i tha Idrisit a.s:”Unë do të jap çdo ditë, shpërblimin e çdo vepre të mirë që veprohet nga njerëzit mbi tokë.” Kur dëgjoi këtë, Idrisi a.s lakmoi t’i shtohej jeta, me qëllim që rrjedhimisht t’i shtohej dhe sevapi. Këtë, Idrisi a.s ia kërkoi një meleku, me të cilin kishte miqësi. Atij i tregoi se Zoti i jepte sevapin e veprave të mira të çdo njeriu çdo ditë dhe i kërkoi të bisedojë me melekun e vdekjes dhe t’i kërkojë t’ia zgjasë jetën, që të fitojë sa më shumë sevape. Meleku iu përgjigj:”Kjo është diçka e pamundur, por do të përpiqem të bëj diçka.” Një karakteristikë e profetëve është se nuk u merret shpirti pa u pyetur më parë. Kjo është pikërisht ajo që i ndodhi edhe vetë të dërguarit të Zotit, profetit Muhamed a.s. Meleku e mbajti Idrisin a.s në shpinë mes dy krahëve dhe të dy u ngjitën në qiell. Kur ndodheshin në qiellin e katërt, meleku që mbante në shpinë Idrisin a.s u takua me melekun e vdekjes. Pasi u përshëndetën, meleku i kërkoi atij të vdekjes që t’ia shtynte edhe disa kohë jetën Idrisit a.s. Meleku i vdekjes e pyeti:”Po ku ndodhet Idrisi në këto çaste?!” Meleku iu përgjigj:”Ja ku është! Mbi shpinën time!” Meleku i vdekje, duke shprehur habi tha:”Sa e çuditshme! Zoti më ka dërguar në këto çaste që t’ia marr shpirtin Idrisit në qiellin e katërt! Unë u habita nga ky urdhër dhe me vete pyeta:”E si do ia marr shpirtin në qiellin e katërt, ndërkohë që ai është mbi tokë?! Kush do e sjellë në qiellin e katërt?!”
Kështu, Idrisit a.s iu morr shpirti në qiellin e katërt. Ky është interpretimi i ajetit që thotë: “Ne e ngritëm atë në vend të lartë.”
Pas vdekjes së Idrisit a.s, nuk kemi profetë që e pasuan menjëherë. Njerëzit u lanë të gjykojnë sipas legjislacionit të Idrisit a.s. Kjo bëri që degjenerimi dhe korruptimi të përhapej sërish në shoqërinë njerëzore. Megjithatë, të gjithë ishin monoteistë dhe besonin e adhuronin një Zot të vetëm. Një mijë vite pas vdekjes së Ademit a.s, njerëzit vazhduan me monoteizëm. Ky është dhe interpretimi i ajetit ku Zoti i lartësuar thotë:”Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme.” (Bekare, 213)