Në faqet në vazhdim, do të flasim mbi etapat që kaloi krijimi i njeriut të parë, Ademit [alejhis-selam]. Teksa lexojmë këto etapa, ndien nevojën dhe përuljen ndaj Krijuesit të Gjithëpushtetshëm.
E habitshme është se teksa lexojmë proceset që kaloi krijimi i Ademit, do të vërejmë se në Kur’an herë thuhet që është krijuar nga balta, herë nga dheu, herë nga balta e ngjizur, herë nga balta e tharë etj… Thotë Zoti në Kur’an:
“Vërtet që çështja e Isait (përsa i përket krijimit të tij) tek Zoti është si ajo e Ademit të cilin e krijoi nga dheu dhe më pas i tha: “Bëhu” dhe ai u bë.” (Ali Imran: 59);
“Kujto kur Zoti yt u tha engjejve: Unë do të krijoj njeri prej balte.” (Sad: 71);
“Ne e krijuam atë nga balta e ngjizur.” (Es-Saffat: 11);
“Ne e krijuam atë nga argjili si qeramikë.” (Hixhr: 26)
Të gjitha sa përmendëm janë etapa në të cilat kaloi krijimi i njeriut të parë. Ai nuk u krjua me urdhërin “bëhu” dhe të bëhej. Por gjithçka kaloi në disa procese dhe etapa, për të ardhur në plotësimin e tij si krijesë përfundimtare.Krijimi i Ademit [alejhis-selam] kaloi në gjashtë procese, derisa u plotësua dhe secili prej tyre përmban në vetvete një mesazh për të përcjellë.
Etapa e parë është mbledhja e dheut, që do të përdorej për krijimin e Ademit [alejhis-selam]. Thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Zoti e krijoi Ademin [alejhis-selam] nga një grusht dheu që e mori nga gjithë dheu i tokës.”
Zoti dërgoi Xhibrilin [alejhis-selam] , të cilit i tha: ”Shko dhe merr një grusht dhe nga toka.” (Ebu Daudi, 4693)
Në një hadith tjetër, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Zoti e krijoi Ademin [alejhis-selam] nga një grusht dhe, të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Si rezultat erdhën njerëzit me ngjyra të ndryshme, të kuq, të bardhë dhe të zinj. Nga kjo rrjedhin dhe njerëzit zemërbutë, të pakuptueshëm dhe të këqinj.” Ky hadith na tregon se ngjyrat e ndryshme të njerëzve erdhën si rezultat i ngjyrave të dheut që u mor për të krijuar Ademin [alejhis-selam]. Po kështu, të ndryshme erdhën dhe natyra dhe tiparet e secilit. Ku shohim se kemi njerëz të pabindur, të këqinj dhe njerëz të mirë. Ashtu siç kemi tokë pjellore, tokë që nuk e mban ujin … etj. Ka njerëz të këqinj me të cilët nuk bën dobi asnjë këshillë dhe asnjë fjalë. Ka toka të tilla që çfarëdo lloj plehërash dhe mjetesh të përdorësh, nuk kthehen në toka pjellore. Ka toka që përfitojnë dhe nga uji dhe nga drita e diellit, ashtu siç ka njerëz me të cilët merresh vesh me dy fjalë.
A e shikon o njeri se cila është origjina jote? Thjesht dhe! Zoti me Madhështinë e Tij e bëri këtë dhe të flasë, të mendojë, të prodhojë anije kozmike me të cilat ngjitet në hënë … etj. I pa të meta është Ai që e krijoi njeriun me këto aftësi. Si është e mundur që kjo krijesë e ardhur nga dheu, t’i thotë “jo” Krijuesit të saj?! Si është e mundur që të mos u bindet urdhërave dhe porosive të Tij?! Si vallë ka njerëz që pijnë alkool, bëjnë imoralitet …?! Si vallë refuzon kjo krijesë t’i përulet Krijuesit të saj?! Thotë Zoti në Kur’an:
“Qoftë mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është ai! Po nga se e krijoi atë? Atë e krijoi prej një pike uji dhe e përgatiti. Pastaj atij ia lehtësoi rrugën. Më pas ia mori jetën dhe e varrosi. Pastaj kur të dojëAi e ringjall.” (Abese: 17-22)
Proceset e krijimit të Ademit [alejhis-selam] na tregojnë që sa të dobët jemi si njerëz dhe se duhet të shfaqim nevojën dhe përulësinë tonë ndaj Krijuesit.
Njeriu i parë e mori emrin “Adem”, emër që rrjedh nga fjala “edim” që do të thotë: Sipërfaqja e tokës nga e cila u krijua.
Etapa e dytë e krijimit të Ademit [alejhis-selam] është ajo e mbledhjes së dheut dhe lagia me ujë, me qëllim që të bëhet baltë. Thotë Zoti në Kur’an: “Kujto kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të krijoj njeri prej balte.”(Sad: 71)
Po përse Zoti zgjodhi dheun dhe ujin si bazë të krijimit të njeriut dhe nuk zgjodhi diçka tjetër, si p.sh.: hekurin?
Dheu dhe uji janë zgjedhur si substancat bazë të krijimit të njeriut, pasi janë elementet më të pastër dhe kanë veti pastruese. Vetë uji në natyrën e tij është i pastër dhe përdoret për të pastruar. I pastër është dhe dheu, të cilin e përdorim për tejemum në rast mungese të ujit. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Më është bërë toka e vlefshme përfalje dhe e pastër.” (Muslimi, 1665)
Me këtë fakt, sikur Zoti dëshiron të na thotë se ti o njeri që në origjinë je i pastër. Të kam krijuar nga substancat më të pastra, prandaj ruhu që të mos e ndotësh këtë pastërti me gjynahe. Ai që shikon në televi- zor dhe intemet gjëra haram, ta dijë se e ka ndotur pastërtinë me të cilën e krijoi Zoti. Duke parë, ai do fillojë të kërkojë të veprojë si ata dhe në një të ardhme do i veprojë dhe vetë gjëra të tilla. Ai që kryen imoralitet, vetëm sa ndot veten e tij të pastër. Është njësoj sikur të hedhësh pisllëqe në ujin që pi vetë.
Tani krahasojeni qëndrimin e Islamit ndaj njeriut dhe atë të Perëndimit, ku njeriun e quan një insekt të keq. Një nga mendimtarë perëndimorë pohon se njeriu ëshë insekti më i keq që jeton në mbeturinat e jetes.
Etapa e tretë është kur fillon balta të ngjizet dhe të trashet, së cilës mund t’i jepet formë. Thotë Zoti në Kur’an: “Ne e krijuam atë nga balta e ngjizur.” (Es-Saffat: 11)
Krijimi i njeriut nga balta e ngjizur, tregon se ai si krijesë është rezistent dhe i prirur për t’u përshtatur me rrethanat. I mbledhur dhe rezistent njeriu është vetëm duke i majtur lidhjet me Zotin. Që në momentin që ai i shkëput lidhjet me Krijuesin e tij, ai do të jetojë i shpëmdarë dhe i humbur.
Etapa e katërt është kur Zoti i dha formë, me duart e Tij fisnike, kësaj balte të ngjizur. Thotë Zoti në Kur’an: “O Iblis, çfarë të pengoi të përulesh ndaj atij që e krijova me duart e mia? A u tregove kryeneç apo je nga ata që janë arrogantë?” (Sad: 75)
Forma që ke o njeri, të është dhënë nga vetë duart fisnike të Zotit tënd. Sigurisht, këtu është e pavend të bëjmë krahasime mes Krijuesit dhe krijesave.
Teksa mendon se je krijesë e krijuar dhe formuar nga vetë duart fisnike të Krijuesit, diçka e tillë të shtyn të tregosh përulje, modesti dhe përkushtim ndaj Tij. Thuaji vetes në këto çaste që nuk do të pranoj të tregohem arrogant ndaj urdhërave të Zotit. Nuk do të lejoj që trupin tim, të krijuar nga elementet me të pastër, ta ndot me gjynahe dhe vepra të ulëta.
Çdo gjë e punuar me dorë është më e shtrenjtë dhe ka më shumë vlerë. Edhe ti o njeri, përderisa Zoti ta dha formën me duart e Tij fisnike, je shumë i shtrenjë dhe me vlerë. Thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Tre gjëra Zoti i ka krijuar me duart e Tij fisnike dhe nuk ka krijuar gjë tjetër veç tyre: Ka krijuar Ademin, xhennetin Adn dhe Fletët që ia dha Musait.”
Edhe këto dy krijesa që janë krijuar nga duart fisnike të Zotit, janë krjuar për t’i shërbyer njeriut. Thotë Zoti në një hadith kudsij: “O biri i
Ademit, të kam krijuar me duart e Mia, Të kam ushqyer me mirësitë e Mia, kurse ti më kundërshton dhe del kundër Meje?! Nëse pendohesh, Unë të pranoj përsëri. Ku do të gjesh një Zot si Unë, Mëshirues dhe Falës?”
Etapa e pestë është kur Ademi [alejhis-selam] mori formën e njeriut dhe qëndroi për t’u tharë. Gjatë kësaj kohe atij i ndryshoi dhe ngjyra, e cila u bë si ajo e qeramikës.
Etapa e gjashtë është kur Ademit [alejhis-selam] iu krijua goja, fytyra dhe organet e trupit, pasi deri atëherë pjesa e barkut ishte bosh si enë qeramike. Thotë Zoti në Kur’an: “Ne e krijuam atë nga argjili si qeramikë e zezë.” (El-Hixhr: 26)
Në disa hadithe, thuhet që Ademi [alejhis-selam] u la si enë qeramike për dyzet ditë. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Kur Zoti i dha formë Ademit [alejhis-selam], e la atë aq sa deshi vetë. Vetë Iblisi sillej rreth tij duke e vëzhguar me kujdes. Kur e pa që është bosh nga brenda e kuptoi se do të jetë një krijesë e papërmbajtur.”
Shejtani sillej rrotull Ademit duke kërkuar ndonjë pikë të dobët, të cilën e gjeti. Kjo pikë e dobët ishte boshllëku që kishte Ademi në zonën e barkut dhe të kraharorit. Kjo tregon se njeriu si krijesë do të ishte i papërmbajtur nga epshet, joshjet dhe kënaqësitë e kësaj bote. Shejtani ia gjeti Ademit pikën e dobët, që pa iu dhënë shpirti. Të njëjtën gjë shejtani bën me secilin nga ne: Ai kërkon dhe përcakton pikën tonë të dobët me të cilën mund të na mashtrojë. Ai do përdorë këtë pikë të dobët, për ta çuar njeriun drejt shkatërrimit. Mund të vazhdosh të veprosh të njëjtin gjynah për njëzet apo tridhjetë vjetë. Kjo, pasi shejtani e ka kuptuar dobësinë tënde dhe përqendrohet në atë pikë. Shërimi i vetëm i kësaj dobësie është: “Ti nuk do të kesh pushtet tnbi robërit e Mi.” (El-Hixhr: 42)
Pra, shërimi është adhurimi dhe forcimi i lidhjeve me Zotin.
Periudha në të cilën Ademi [alejhis-selam] qëndroi si statujë përmendet në Kur’an: ” Vërtet ka kaluar një periudhë kohore, që njeriu nuk ekzistonte fare si një diçka i përmendur.” (El-Insan: 1)
Etapa e shtatë, e krijimit të Ademit [alejhis-selam], është dhënia e shpirtit. Pasi qëndroi për një kohë të gjatë i formuar si njeri, Zoti do i japë shpirtin krijesës së Tij. Thotë Zoti në Kur’an: “…Dhe nëse i jap formë dhe shpirt,ju i bini në sexhde.” (Hixhr: 29)
Fillimisht Zoti të krijoi nga dheu dhe uji, dy substanca që përdoren për pastrim. Më pas Ai të dha formë me duart e Tij fisnike. Më pas të dha shpirtin dhe urdhëroi melekët të përulen para teje në shenjë nderimi. A akoma nuk e kupton sa i shtrenjtë je për Zotin dhe se Ai të do? Si është e mundur që Ai të do dhe të vlerëson kaq shumë, kurse ti nuk i bindesh dhe nuk e do? Si vallë e ndot me gjynahe këtë shpirt që e ka burimin nga vetë Zoti? Si e ndot këtë shpirt duke pirë alkool, duhan apo drogë? Si vallë nxjerr nga goja fjalë të ndyta për të sharë të tjerët? Si e ushqen trupin me haram, duke mos e respektuar shpirtin që e mban këtë trup?
Një ndryshim thelbësor mes krijimit të njeriut dhe të krijesave të tjera është se krijesat e tjera janë krijuar vetëm nga një lëndë. Melekët janë krijuar vetëm nga drita, xhindët vetëm nga zjarri. Kurse njeriu është e vetmja krijesë që është krijuar nga shpirti dhe nga trupi. Trupi përfaqëson kopertinën e tij të jashtme, kurse shpirti është diçka e brendshme dhe e padukshme, por që mban trupin me jetë. Trupi u krijua nga dheu i tokës, kurse shpirti vjen nga mbretëria e qiellit. Lëndë tokësore bashkohen me lëndë qiellore dhe hyjnore dhe formojnë njeriun që shohim. Pjesa që buron nga toka të tërheq nga kënaqësitë e tokës, kurse pjesa që buron nga qielli të tërheq për të krijuar lidhje me qiellin. Trupi dhe shpirti, secili ka ushqimin e tij. Ushqimet e trupit janë të ngrënit, të pirit, martesa, veshja, shëtitjet, lojrat… ; kurse ushqimet e shpirtit janë namazi, agjërimi, haxhi, morali i mirë…
Shpiriti ankohet nëse nuk e ushqen siç duhet. Ai kërkon të hyjë në zemrën tënde, por e gjen të mbushur me epshe. Përpiqet të hyjë tek veshët e tu, por e gjen të mbushur me këngë e muzikë haram, me përgojim… Përpiqet të hyjë nga barku, të cilin e gjen të mbushur me ushqim haram. Nëse dëgjon një bisedë besimi, të duket vetja sikur po fluturon dhe ndien kënaqësi të jashtëzakonshme. Kjo, pasi diçka e tillë është ushqimi i shpirtit. Vjen muaji i Ramazanit agjëron, falesh… fillon shpirti të forcohet. Por, me të kaluar Ramazani, gjë që nënkupton pakësimin e ushqimit për shpirtin, fillon përsëri të dobësohet.
Zoti ka shpallur në Kur’an një sure që flet për ata njerëz, të cilët i kushtojnë rëndësi vetëm anës së tyre fizike.
“Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)/ Derisa të mos i vizitoni varrezat (të vdisni). Jo, nuk është ashtu! Gjithsesi këtë do ta kuptoni më vonë! Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni! Jo, sikur ta dinit me një dije të sigurt (nuk do të bënit ashtu). Ju patjetër do ta shihni xhehenemin. Madje, atë do ta shihni të bindur plotësisht. Pastaj në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e Dunjasë).” (Et-Tekathur: 1 - 8 )
O ju njerëz, që jetoni vetëm për trupin, duke e lënë mënjanë shpirtin, dijeni se do të vdisni një ditë. Hëngre dhe u ngope me ushqime? Tani është koha të çohesh dhe të falësh dy rekate, për hatër të Zotit. Nëse ke qëndruar me orë të tëra duke biseduar dhe qarë hallet me shoqërinë, qëndro dy minuta me Zotin tënd duke e kujtuar dhe përmedur Atë. Në çdo sezon pushimesh, harxhon kushedi sa para për të vajtur me pushime në vendet më të bukura. Përse nuk harxhon disa para për të vajtur në Umre? Ushqeje shpirtin me lexim Kur’ani, ashtu siç qëndron me orë të tëra duke parë telenovelat.
Shpirti filloi t’i jepej Ademit [alejhis-selam] nga koka. Me t’i hyrë në kokë, Ademi [alejhis-selam] teshtiu. Melekët i thanë: Thuaj: “Elham du lil-lah” dhe Ademi [alejhis-selam] tha: “Elhamdu lil-lah” Atëherë vetë Zoti i tha: “Rahimeke rabbuk” (Të mëshiroftë Zoti yt). Fjala e parë që Ademi [alejhis-selam] dëgjoi nga Zoti i tij ishte mëshira. Ai njeri që fillon dhe i forcon lidhjet e tij me Zotin, do e ndiejë mëshirën e Tij më të pranishme në jetën e vet. Nëse ke pasur mosmarrëveshje me prindërit, do të shohësh që zemra e tyre do të fillojë dhe do të zbutet, derisa të kënaqen me ty. Nëse ke pasur probleme me drejtorin në pimë, do shohësh që do të fillojnë të zgjidhen, pasi të forcosh lidhjet me Zotin.
Fjala e parë që Ademi dëgjoi nga Krijuesi i tij ishte mëshira. Prej kësaj ka mbetur dhe urimi që i bëjmë atij që teshtin, ku i themi “Jerha- mukall-llah” (Zoti të mëshiroftë).
Dita në të cilën iu dha Ademit [alejhis-selam] shpirti ishte dita e xhuma. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Atë ditë u krijua Ademi, në atë ditë hyri në xhennet, në atë ditë u zbrit në tokë, në atë ditë iu pranua pendimi, në atë ditë vdiq dhe atë ditë do të bëhet Kijameti.” (Muslimi, 5616)
Shkeputur nga libri “HISTORIA E PROFETEVE”